Para finales së Kupës optimizëm në rradhët e Teteksit dhe Rabotniçkit

Publikuar më 19 Мај, 2015 Lajme

Mihajllov: Do të luajmë për krenari, për Tetovën, për tifozët

Angellovski: Nuk kemi presion, do të luftojmë për fitore

Skuadra e Rabotniçkit, fitues aktual i Kupës së Maqedonisë dhe Teteksi, fitues i Kupës në vitin 2013, nesër në orën 20:00 në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup do të përballen në finalen e Kupës së Maqedonisë për sezonin garues 2014/2015. Dy ekipet janë përballur mes veti në një finale të Kupës pesë vite më parë kur Teteksi arriti të fitonte trofeun. Trajnerët Gorazd Mihajllov dhe Igor Angellovski shpresojnë në sukses të skuadrës së tyre në një duel fer dhe korekt.

“Rabotniçki është favorit, situata në renditjen tabelarë në kampionat tregon se luajmë kundër ekipit më të kompakt në Maqedoni. Kjo për ne është motiv shtesë, do të japim maksimumin për të përsëritur suksesin e dy viteve më parë. Besoj se ndeshja do të jetë interesante dhe dinamike. Ne do të luajmë për krenarinë tonë, për qytetin e Tetovës dhe për tifozët. Ndeshja e nesërme është sfidë e madhe për ne dhe do të mundohemi të luajmë hapur me kundërshtarin. Le të fitojë më i miri”, deklaroi trajneri i Teteksit, Gorazd Mihajllov në press konferencën zyrtare para takimit final.

Trajneri i Rabotniçkit, Igor Angellovski tha se finalja për ekipin e tij është shpërblim për punën e bërë këtë sezon dhe me këtë rast beson të mbrojë trofeun.

“Është e madhe kënaqësia që sërisht jemi pjesë e finales së Kupës së Maqedonisë. Do të japim gjithçka nga vetja për të mbrojtur trofeun e fituar vitin e kaluar. Edhe pse tani më është në Ligën e Dytë, Teteksi meriton respekt. Në afatin e fundit kalimtar sollën futbollistë të ri, ndërsa arriti edhe Gorazdi si trajner. Nuk ndjejmë presion, në futboll ka fitore dhe humbje, nëse fitojmë do të thotë që kemi bërë punë të shkëlqyeshme, nëse humbim do t’i urojmë Teteksit”, tha Angellovski.



   
   
Reprezentacioni A