Publikuar më 03 Септември, 2018 në Lajme, Lajme
Përfaqësuesja A e Maqedonisë pasdite në Gjibraltar zhvilloi seancën e parë stërvitore nga tre të tilla të paraparë në "Victoria Stadium" ku të enjten përballë përfaqësueses vendase hapim ndeshjet në Ligën e Kombeve të UEFA-së. Seleksionuesi i Maqedonisë, Igor Angellovski me formacion të kompletuar realizoi seancë stërvitore një orëshe menjëherë pas arritjes në Gjibraltar.
Futbollisti i repartit të mesfushës, Boban Nikollov vlerëson shumë të rëndësishëm startin e garave dhe se të gjithë do të japin maksimumin për të marrë fitoren.
"Dy ndeshjet e para me Gjibraltarin dhe Armeninë janë shumë me rëndësi. Për ne kjo është sfidë e madhe, mirëpo duhet të shkojmë hap pas hapi drejt vendit të parë në grup. Tani fokusohemi për ndeshjen me Gjibraltarin dhe shumë me rëndësi është të startojmë me fitore. Pres ndeshje të mirë dhe duhet të hyjmë maksimalisht të përgatitur. Realisht, ne jemi favoritë, por nuk duhet të nënçmojmë asnjë kundërshtar pasi futbollit din të sjellë befasi", shprehet Nikollov.
Mbrojtësi Visar Musliu shton se kjo garë është mundësi e madhe dhe duhet bërë gjithçka për të kapur vendin e parë në grup.
"E dimë se nuk ka ndeshje të lehta dhe ashtu do të sillemi në ndeshjen me Gjibraltarin. Nuk njohim cilësinë e tyre, por kemi kohë të mjaftueshme për analizë dhe të mësojmë anët e tyre të dobëta, që më pas të enjten të shënojmë fitore", deklaroi Musliu.
Maqedonia të enjten në orën 20:45 përballet në transfertë me Gjibraltarin në stadiumin "Victoria" që ka terren me bar sintetik.