Publikuar më 22 Мај, 2024 në Lajme
Teknologjia VAR do të përdoret për herë të parë në futbollin vendor në finalen e Kupës së Maqedonisë ndërmjet skuadrave të Tikveshit dhe Voska Sport. Dy skuadrat do të luftojnë për trofeun e tyre të parë sonte në Arenën “Todor Proeski” nga ora 19:00 në finalen e 31-të të Kupës së Maqedonisë.
Federata e Futbollit të Maqedonisë ka marrë leje nga FIFA për përdorimin e video-teknologjisë për shqyrtim të mundshëm të vendimeve të arbitrit dhe në mbledhjen teknike ku kanë marrë pjesë zyrtarët e caktuar për finalen e Kupës së Maqedonisë dhe përfaqësues të ekipeve finaliste u folën të gjitha detajet në lidhje me përdorimin e teknologjisë.
“Futja e teknologjisë VAR është pjesë e programit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë dhe këtë projekt e nisim nga finalja në Kupën e Maqedonisë. Po ndjekim të gjithë hapat e nevojshëm dhe kemi përgatitur një plan projekt për ta zbatuar edhe në ndeshjet e Ligës së Parë. Ne ndjekim gjithashtu protokollin e rreptë të prezantuar nga FIFA. Ne do të fillojmë të përdorim teknologjinë VAR vetëm kur IFAB të na konfirmojë se infrastruktura, teknologjia dhe gjyqtarët që e përdorin atë janë plotësisht gati. Shpresojmë që sezonin e ardhshëm do të mund të zbatojmë teknologjinë VAR në ndeshjet e Ligës së Parë. Gjëja më e rëndësishme është të zvogëlohen dhe eliminohen gabimet, por është e rëndësishme të kujtojmë se arbitri në fushë ende vendos gjithçka dhe teknologjia vetëm e ndihmon atë të shikojë detajet”, tha Igor Frangovski, kryestar i Komisionit të Garave të FFM-së dhe delegat në finalen e sotme në Kupën e Maqedonisë.
Arbitri kryesor i finales së Kupës së Maqedonisë ndërmjet Tikveshit dhe Voska Sport është Aleksandar Stavrev. Asistentët e tij janë Dejan Kostadinov dhe Kushtrim Lika. Jovan Kaçevski është gjyqtari i katërt.