Publikuar më 06 Септември, 2024 në Lajme
Në kuadër të ndeshjes së nesërme të përfaqësueses A të Maqedonisë kundër Ishujve Faroe nga edicioni i ri i Ligës së Kombeve, në konferencën zyrtare për media kanë folur seleksionuesi i Maqedonisë, Bllagoja Milevski dhe kapiteni Enis Bardhi.
Blagoja Milevski – seleksionues i përfaqësueses A të Maqedonisë:
“Ndeshja e parë është gjithmonë e vështirë. Ishujt Faroe janë një kundërshtar cilësor, i disiplinuar dhe ne kemi respektin maksimal për ata. Megjithatë, synimi ynë është vendi i parë në grupin e Ligës së Kombeve. Duhet të jemi në maksimumin tonë që të mos varemi nga loja e kundërshtarit. Në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve, Ishujt Faroe mundën Turqinë, që nuk është diçka e vogël.
Kushtet e motit janë ato që janë. Nuk është e lehtë të përshtatesh nga 35 në dhjetë gradë. Prandaj kemi ardhur një ditë më herët dhe besoj se do të jemi gati. Mendoj se do të përshtatemi me të gjitha kushtet dhe do të imponojmë cilësinë tonë”
“Kundërshtari është i organizuar mirë, i disiplinuar dhe duhet të jemi në të njëjtin nivel dhe më mirë për sa i përket dinamikës së lojës, agresivitetit dhe dëshirës, në mënyrë që cilësia jonë individuale të dalë në plan të parë. Unë shoh energji të madhe në këtë grumbullim dhe ne duhet ta transferojmë atë në fushë”.
Enis Bardhi - kapiten i përfaqësueses A të Maqedonisë:
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për atë që na pret dhe kemi bërë një analizë të detajuar të kësaj ndeshje. Atmosfera është gjithmonë e mirë kur luajmë për Maqedoninë dhe ndoshta kemi klimën më të mirë në këtë grumbullim. Kemi lojtarë të mëdhenj që kanë firmosur për klube të mëdha si Dimitrievski, Elmas, Miovski dhe presim shumë prej tyre.
Nuk duhet të kërkojmë alibi dhe si gjithmonë të jemi sa më të fokusuar në lojën tonë. Nuk duhet të na mungojë dëshira dhe duhet të dalim për të shfrytëzuar hapësirën që do të na ofrojë kundërshtari”.