Maqedonia U18 e treta në turneun e fortë në Çeki

Publikuar më 24 Август, 2019 Lajme, Deri më 19 vjet


Përfaqësuesja U18 e Maqedonisë e drejtuar nga seleksionuesi Shkumbin Arsllani ka fituar vendin e tretë në edicionin e 26-të të turneut të fortë ndërkombëtar në Vaclav Jezhek të Çekisë, ku përveç përfaqësueses tonë dhe asaj vendase morën pjesë edhe Ukraina, Sllovakia, Letonia dhe Hungaria. 

Pas vendit të dytë në fazën e grupeve (humbje 2:1 nga Ukraina dhe fitore 3:2 ndaj Sllovakisë) sot përfaqësuesja U18 e Maqedonisë mundi bindshëm 3:0 Hungarinë në ndeshjen e vlefshme për vendin e tretë në këtë turne të fuqishëm. 

Maqedonia U18 hyri furishëm në ndeshje dhe avansoi pas vetëm 10-të minutave lojë kur Ivan Nikolov shënoi për 1:0. Djemtë e seleksionuesit Shkumbin Arsllani vazhduan lojën sulmuese dhe qasja e tillë solli epërsi 3:0 pas 29 minutave lojë. Behar Feta në minutën e 23-të shënoi për 2:0, ndërsa gjashtë minuta më vonë Vlada Noveski vendosi rezultatin final 3:0. Vlen të ceket se nga minuta e 55-të Maqedonia U18 luajti me 10-të futbollistë në terren, pasi me të kuq u përjashtua Ilievski, mirëpo lojtarët e rinjë hungarez nuk arritë ta shfrytëzojnë epërsinë numerike në terren për t’u kthyer në lojë. Në minutën e 60-të portieri Kitanovski ndali një penalti, duke ruajtur rrjetën të paprekur. Kjo fitore kishte vlerën e vendit të tretë për Maqedoninë U18 në këtë turne.

“Këta djemë dëshmuan se posedojnë cilësi e cila edhe më shumë do të vijë në shprehje në periudhën që pason. Paraqitja e sotme tregon se fitorja me Sllovakinë ishte e merituar, na vjen keq që humbëm nga Ukraina, sepse ishim më të mirë. Mirëpo tashmë shikojmë përpara drejt sfidave të reja. Besoj te këta djem dhe e dij se munden edhe më shumë. Këtë sukses i’a kushtojmë portierit tonë Marko Alçevski i cili është në fazë rehabilitimi pas operimit të gjurit. Gjithë ne i dëshirojmë sa më shpejtë të kthehet në terrenet e blerta”, deklaroi seleksionuesi i Maqedonisë U18, Shkumbin Arsllani. 

MAQEDONIA U18: Kristijan Kitanovski, Benjamin Dalipi, Altrim Jakupi, Viktor Krstevski, Imran Fetai, Ivan Nikolov, Hamza Ramani, Luka Stankovski, Behar Feta, Vllada Noveski, Mario Ilievski.

Luajtën edhe: Azer Omeragiq, Dimitar Todorovski, Ali Asani, Aleksandar Gjurkoski, Filip Kosotovski, Lavdrim Latifi.

Seleksionues: Shkumbin Arsllani



   
   
Reprezentacioni A