Publikuar më 23 Септември, 2022 në Lajme, Lajme
Përfaqësuesja A e Maqedonisë u mposht nga Gjeorgjia me rezultat 2:0 në ndeshjen e parafundit në grupin e Ligës së Kombeve të UEFA-së. Skuadra e Bllagoja Milevskit përsëri luajti një lojë të mirë, krijuam shumë raste, shifrat statistikore i kishim në favor, por nuk morëm rezultatin e dëshiruar. Gjeorgjia me këtë fitore, konfirmoi vendin e parë në grup.
Ndeshja në Tbilisi nisi me një moment të diskutueshëm në zonën e rreptësisë vendase. Kuirkvelia shkeli Spirovskin, por loja nuk u ndal. Pak minuta më vonë, futbollistët tanë kërkuan sërish penallti, duke pasur parasysh se pati një goditje me dorë kur goditja e Alioskit u bllokua, por sllovaku Kruzhliak nuk akordoi asgjë.
Rastin më të mirë në pjesën e parë e pati Stefan Spirovski në minutën e 21-të. Elmas pasoi për Spirovskin, i cili gjuajti nga distanca, por Mamardashvili regjistroi ndërhyrjen e parë të ndeshjes. Menjëherë pas kësaj, Bardhi kërcënoi portën e vendasve me gjuajtje nga një goditje dënimi, por portieri i Gjeorgjisë ishte në nivelin e detyrës.
Gjeorgjia kaloi në epërsi pas gjysmë ore. Një aksion pas goditjes nga këndi, Kvaratshkelia hyri në zonën e rrezikut dhe goditi fuqishëm, me topin që nga Miovski përfundoi në portën tonë.
Në pjesën e dytë, Elmasi bëri sërish që në fillim të vuaj portieri vendas, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë portës, ndërsa njejtë përfundoi edhe gjuajtja e Alioskit pak minuta më vonë. Në minutën e 55-të Kvaratshkelia gjuajti fuqishëm drejt portës së Dimitrievskit, por topi shkoi skaj portës.
Pak minuta më vonë Vellkovski gaboi në mes të fushës dhe gjeorgjianët e shfrytëzuan momentin për të na ndëshkuar. Zivzivadze nisi një kundërsulm dhe pasoi për Kvaratshkelian i cili shënoi në portën e zbrazët për 2:0 dhe i dha fund të gjitha shpresave tona për një rezultat të favorshëm në Tbilisi.