Publikuar më 22 Декември, 2024 në Lajme
Federata e Futbollit të Maqedonisë sot e mban Kuvendin e Jashtëzakonshëm.
Në Kuvendin Zgjedhor të pranishmit pranuan dorëheqjen e kryetarit aktual të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini.
Në fjalën e tij para 62 delegatëve të pranishëm, futbollistëve, ish-emrave tanë të njohur të futbollit dhe mysafirëve nga UEFA dhe FIFA, Muamed Sejdini falënderoi të gjithë ata që në vitet e kaluara kontribuan në zhvillimin e futbollit në vendin tonë.
“Në njërën anë ndjej krenari të jashtëzakonshme për gjithçka që kemi arritur së bashku në këto shtatë vite si kryetar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Nga ana tjetër, ky është një moment për reflektim, sepse çdo epokë ka fundin e saj dhe sot po përfundojmë një kapitull që solli shumë sfida, por që u mbyll me suksese historike.
Këto vite do të mbeten të paharrueshme për mua dhe besoj për të gjithë ata që e duan futbollin tonë. Nga pjesëmarrja historike në EURO 2020, te fitorja e madhe ndaj Italisë, sukseset në Ligën e Kombeve, e deri te projektet infrastrukturore që transformuan shumë fusha futbolli në vendin tonë. E gjithë kjo është rezultat i punës dhe përkushtimit të përbashkët të të gjithëve neve.
Sot largohem në të njëjtën mënyrë - me mirënjohje dhe mundësinë t'ju shikoj të gjithëve në sy, duke ndarë një ndjenjë krenarie për sukseset e përbashkëta që do të mbeten gjatë në historinë e futbollit tonë.
Uroj që në të ardhmen të kemi suksese edhe më të mëdha dhe futbolli ynë të vazhdojë të jetë krenari për të gjithë ne. Pasardhësit tim i uroj punë të suksesshme dhe shumë suksese në rrugën e tij”.