Publikuar më 21 Мај, 2024 në Kupa e Maqedonisë, Lajme
Tikvesh dhe Voska Sport nesër nga ora 19:00 do të përballen në finalen e 31-të të Kupës së Maqedonisë në Arenën “Todor Proeski” në Shkup.
Në konferencën e sotme për shtyp, trajnerët dhe kapitenët e të dyja skuadrave ndanë pritshmëritë e tyre përpara finales së nesërme.
Gjorgi Mojsov - trajner KF Tikvesh:
“Kur jemi tashmë në finale, sigurisht që jemi këtu për ta fituar. Nuk do të jemi modestë, duam të fitojmë kupën. Besoj se lojtarët e mi do të jenë sa më të motivuar dhe do ta mbyllim këtë sezon në mënyrën më të mirë të mundshme. Fituesi mund të vendoset nga një moment, gabim apo detaj i një futbollisti të caktuar."
Aleksandar Varelovski - kapiten i KF Tikveshit:
“Tikveshi ka një traditë të madhe dhe tani do të luajmë për herë të parë në finale të Kupës. Do të bëjmë maksimumin, madje edhe më shumë, që i gjithë Kavadari të festojë. Jemi gati, kemi presion pozitiv dhe shpresoj shumë që një fitore në finale të jetë kurora e një sezoni të suksesshëm”.
Srgjan Zaharievski - trajner FC Voska Sport
“Tikveshi ka një traditë të madhe, ndonëse është hera e parë pas kaq vitesh skuadra nga Kavadari kalon në finale. Ndryshe nga ata, ne jemi një klub i ri që ekziston prej disa vitesh, ky është viti i parë i Voskës në Ligën e Parë dhe arritëm menjëherë në një finale historike, që është një sukses i madh. E përfunduam kampionatin në vendin e dëshiruar, kështu që tani do të luajmë kundër Tikveshit në Kupën e Maqedonisë. Ata kane pasur paraqitje shumë të mira në sezonin pranveror dhe dua t'i përgëzoj për vendin e katërt në tabelë që është një arritje e madhe për Tikveshin. Ata po luajnë mirë, por ne ende jemi në formë të mirë, kemi qenë të pamposhtur për një kohë të gjatë dhe kemi ardhur në Shkup për të garuar dhe fituar Kupën e Maqedonisë. Një herë kam marrë pjesë në finale si trajner i Metalurgut dhe kemi humbur me Rabotniçkin. Shpresoj që tani me Voska Sport të jemi më të suksesshëm dhe të arrijmë synimet tona”.
Kostadin Zahov - kapiten i FC Voska Sport:
“Pres një ndeshje të mirë. Tikveshi është një ekip cilësor, luan futboll sulmues dhe e meriton të jetë këtu. Edhe ne kemi pritshmëritë tona nga ndeshja për trofe. Është shumë ndryshe nga eksperiencat e mia të mëparshme në gara të tilla. Ndoshta edhe një sfidë shumë më e madhe. Shpresoj që të arrijmë kupën. Jemi afër kupës, por finalja duhet luajtur në mënyrën më të mirë të mundshme”.