Publikuar më 28 Септември, 2024 në Lajme
Federata e Futbollit të Maqedonisë e dënon ashpër sulmin frikacak dhe të turpshëm ndaj presidentit tonë, Muamed Sejdini, i cili mbrëmë në praninë e një miku u sulmua fizikisht në parkingun e një restoranti në Shkup.
Ky akt dhune është i papranueshëm dhe përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj vlerave të futbollit, sportit dhe demokracisë në përgjithësi.
Ne theksojmë qartë dhe pa mëdyshje se Federata e Futbollit të Maqedonisë nuk do të lejojë që dhuna të bëhet mjet për ndikim apo për zgjidhjen e çfarëdo sfide. Zgjedhja e udhëheqësve në FFM zhvillohet ekskluzivisht përmes procedurave ligjore dhe demokratike, me votat e delegatëve, e jo përmes kërcënimeve dhe dhunës. Ata që përpiqen të prishin këtë proces përmes forcës duhet të jenë të vetëdijshëm se veprimet e tyre tashmë janë identifikuar dhe se ne po bashkëpunojmë me institucionet e drejtësisë për të ndriçuar plotësisht këtë incident.
I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe të gjitha organeve kompetente, që të marrin masa urgjente dhe ta hetojnë rastin deri në fund, në mënyrë që autorët të dalin përpara drejtësisë.
Për këtë incident kemi informuar edhe drejtuesit e UEFA-s dhe FIFA-s.
Presidenti i FFM-së mbetet i palëkundur përballë kërcënimeve dhe presioneve të tilla. Ato nuk e dobësojnë vendosmërinë e tij, përkundrazi, forcojnë përkushtimin e tij ndaj integritetit dhe transparencës në sport. Muamed Sejdini është zgjedhur në këtë pozitë në mënyrë të ligjshme, me votat e delegatëve, dhe vetëm në të njëjtën mënyrë do ta përfundojë ose vazhdojë mandatin e tij. Dhuna kurrë nuk do të jetë mjet që do të përcaktojë praninë ose largimin e tij.
Federata e Futbollit të Maqedonisë mbetet e përkushtuar në promovimin e vlerave sportive, lojës së ndershme dhe respektimit të institucioneve.
Me respekt,
Federata e Futbollit të Maqedonisë