Igor Angellovski: Pres lojtarët të jenë maksimalisht të gatshëm për ndeshjet e muajit mars

Publikuar më 06 Февруари, 2017 Lajme


Seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Igor Angellovski javën e kaluar qëndroi në Antalia të Turqisë ku ndoqi prej afër ndeshjet kontrolluese të skuadrave nga Maqedonia të cilat qëndronin në këtë qendër turistike. Udhëheqësi i ekipit përfaqësues ndoqi ndeshjet e Vardarit kundër Amkarit të Rusisë, Dukla Pragës dhe Hajdukut, dy ndeshjet e Shkëndijës kundër Termalikës dhe Podbrezovës, duelet e Pelisterit dhe Sileksit kundër Kajser dhe Shinik, takimet e Akademija Pandev përballë Shahtjorit dhe Vozhdovacit dhe ndeshjet e Rabotniçkit kundër Dnjipros, Terek Groznit dhe MTK-së së Hungarisë.

“Shumë e rëndësishme për ekipet tona që përgatiten në Antalia është fakti se kanë kushte ideale për stërvitje dhe lulajnë ndeshje me kundërshtar të fortë evropian. Gjatë qëndrimit tim në Antalia kam ndjekur ndeshjet e Vardarit, Shkëndijës, Rabotniçkit, Sileksit, Akademia Pandev dhe Pelisterit dhe nga ajo që kam parë në këtë fazë të përgatitjeve, pres futbollistët të jenë të gatshëm maksimalisht për vazhdimin e kampionatit tonë. Për mua më me rëndësi ishte të kem pasqyrë të formës së reprezentuesve aktual, por gjithashtu të bindem në potencialin dhe cilësinë e lojtarëve të cilët në të ardhmen ndoshta do të kenë shansin të luajnë për përfaqësuesen. Më gëzon fakti se gjithë reprezentuesit, përveç Spirovskit i cili së shpejti do të jetë në proces të plotë stërvitor, janë në formë të mirë shëndetësore. Reprezentuesit potencial do të vazhdojmë t’i ndjekim me qëllim për të patur pasqyrë të qartë para ndeshjes kualifikuese me Lihtenshtejnin dhe ndeshjen miqësore me Bjellorusinë”, shprehet Angellovski.

Seleksionuesi Angellovski potencon se është i kënaqur me paraqitjet e futbollistëve që luajnë jashta vendit, posaçërisht me formën e mirë të Ilija Nestorovskit dhe Ivan Triçkovskit që po shënojnë gola në kontuinitet.

“Normal se ndjek paraqitjet e futbollistëve tanë që luajnë jashta vendit, si seleksionues jam shumë i kënaqur me formën e Nestorovskit dhe Triçkovskit, të cilët shënojnë gola dhe janë janë shumë të rëndësishëm për klubet e tyre. Gjithashtu më gëzon edhe fakti se kapiteni jonë Goran Pandev dje luajti për ekipin e parë të Xhenovës, ndërsa kishte paraqitje të shkëlqyeshme edhe në minutazhin që kishte në ndeshjet paraprake. Më me rëndësi është të gjithë të jenë të shëndoshë dhe të gatshëm  t’i presim përgatitjet për vazhdimin e eliminatoreve”, përfundoi Igor Angellovski. 



   
   
Reprezentacioni A