Publikuar më 15 Јануари, 2021 në Lajme, Fustsall
Trajneri i trofeshëm kroat dhe
ish-seleksionues i përfaqësueses së futsallit të Kroacisë, Mato Stankoviq do të
jetë pjesë e stafit teknik të përfaqësueses më të mirë të futsallit të vendit
tonë.
Stankoviq ka pranuar ftesën e seleksionuesit të përfaqësueses së futsallit të Maqedonisë, Vasko Skenderovski për të qenë pjesë e stafit teknik në kualifikimet për Kampionatin Europian. Maqedonia është në grupin 4 bashkë me përfaqësueset e Rumanisë, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Kualifikimet do t’i hapim më 28 janar në ndeshjen kundër Bosnje e Hercegovinës në Zenicë.
Mato Stankoviq udhëhoqi përfaqësuesen e Kroacisë në tre Kampionate Europiane. Në vitin 2012 kroatët të drejtuar nga Stankoviq arritën në gjysmëfinale të eventit kontinental që u zhvillula në Kroaci. Përveç vendlindjes, Stankoviq ka qenë seleksionues edhe i ekipit përfaqësues të futsallit të Libisë në periudhën mes viteve 2006-2010, duke drejtuar libiasit drejt kualifikimit në Kampionatin Botëror në Brayil, ndërsa për herë të parë në historinë e tyre dolën kampionë të Afrikës në vitin 2008.
Në nivel klubesh, me MNK Splitin ka fituar shtatë tituj kampion shtetëror në kampionat dhe 8 tituj në Kupën e Kroacisë në futsall. Nën drejtimin e Stankoviqit, Spliti shënoi suksesin më të madh në Ligën e Kampionëve në futsall, duke fituar vendin e tretë.
“Fillimisht dua të them se më vjen shumë mirë për bashkëpunimin tonë. Në të kaluarën e afërt kemi pasur shumë ndeshje mes veti, jemi bërë miq të vërtetë me personat e përfaqësueses së Maqedonisë, kemi punuar në analiza dhe faza përgatitore për ndeshje të rëndësishme dhe kjo sfidë e re është një mundësi për të treguar respektin që kam jo vetëm për seleksionuesin Vasko Skenderovski, por edhe për Federatën e Futbollit të Maqedonisë.
“Qëllimi është të ndihmoj të bëhet hapi i vërtetë në situatë kur futsalli në Maqedoni është në një pikë kthese. Momentet më të mira futsalli i Maqedonisë në nivel përfaqësuesesh i kishte tre apo katër vite më parë, ndërsa tani do të mundohemi të kthehemi në atë drejtim të dëshiruar. E kam të qartë se nuk do të jetë aspak e lehtë, por për mua me rëndësi është të jemi në nivelin e duhur në aspekt organizativ dhe të futbollistëve. Në jetë nuk dua të premtoj gjëra të mëdha, plani im është afatgjatë dhe shpresoj që nëse do të kemi mbështetjen e vërtetë do të realizojmë atë që kemi planifikuar.
“Na presin ndeshje të vështira në kualifikime, startojmë me ndeshje kundër BeH në Zenicë, ndërsa në terren vendas boshnjakët gjithmonë janë të rrezikshëm ndaj secilit rival. Por kjo është mundësi të shohim cili është kualiteti jonë i momentit. Serbia është top favorit në grup, ndërsa Rumania është përfaqësuese me disa lojtarë të naturalizuar në formacion, por nuk janë në nivelin e disa viteve më parë kur vërtet ishin shumë të fortë”, deklaroi Mato Stankoviq.