Humbje bindëse nga Spanja

Publikuar më 09 Септември, 2014 Lajme

Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë përjeti humbje bindëse 5:1 nga kampioni evropian Spanja në fillim të ciklit të ri kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit 2016.

Spanja kishte dominim total dhe me meritë mori fitoren bindëse. Përfaqësuesja jonë e para u kanos në minutën e 5-të, kur Agim Ibraimi gjuajti për mrekulli nga goditja e dënimit nga 25 metra, mirëpo Iker Kasiljas me intervenim të shkëlqyeshëm shpëtoi portën e tij. Spanja avansoi në minutën e 15-të kur Ramos shënoi nga penaltia, pasi paraprakisht Mojsov ndali me faul David Silvan. Vetëm tre minuta më vonë rezultati ishte 2:0. Fabregas për mrekulli harkoi për Huanfranin në krahun e djathtë, ai ktheu topin në mes, ndërsa Pako Alkaser shënoi golin debutues në fanelën e ‘furisë së kuqe’. Maqedonia u kundërpërgjigj në minutën e 28-të kur Trajkovski u ndal në zonë nga Huanfran, ndërsa arbitri tregoi në pikën e bardhë. Agim Ibraimi ishte i sigurtë nga penaltia, duke zbutur rezultatin në 2:1. Deri në fund të pjesës së parë Paçovski shpëtoi disa mundësi të mira të kundërshtarit, mirëpo nuk arriti të intervenojë në fund të 45 minutave kur Buskets me goditje nga distanca shënoi për 3:1. Në fillim të pjesës së dytë mundësi e shkëlqyeshme për Jahoviqin, që mori top të mirë nga Abdurahimi, mirëpo Kasiljas shëptoi në situatë një me një me sulmuesin e Maqedonisë. Spanja ndëshkoi këtë huqje në minutën e 50-të, kur David Silva goditi saktë nga krahu i majtë i zonës, duke shënuar për 4:1. Pas kësaj spanjolët dominuan në teren, në anën tjetër Kasiljas ndali edhe një goditje të shkëqlyeshme të Ibraimit, ndërsa në momentet e fundit të ndeshjes Pedro me përfundim të shkëlqyeshëm përfundoi me gol aksionin e mirë të spanjolëve, duke shënuar për rezultat përfundimtar 5:1.

“Fitore e merituar e Spanjës. Mendoj se ky është realiteti në krahasim të kualitetit ndërmjet këtyre dy përfaqësueseve. Sigurisht se 5:1 është rezultat i thellë, mirëpo nëse jemi real duhet të pranojmë se në fund mundej të ishte edhe më i thellë në të mirë të kampiones së Evropës. Kishim në moment mundësi për të kthyer në lojë, mirëpo nuk shfrytëzuam shanset tona. Mendoj se pa dallim nëse do luanim me 4 apo 5 futbollistë në mbrojtje, Spanja ishte superior dhe dominonte në çdo aspekt. Ky është realiteti ynë dhe tani duhet të kthehemi kah ndeshjet e ardhshme, fillimisht për takimin e tetorit me Luksemburgun”, deklaroi seleksionuesi i Maqedonisë, Boshko Gjurovski në takimin me gazetarë pas ndeshjes me Spanjën.




   
   
Reprezentacioni A