Gjorgi Hristov, emërohet drejtor teknik në FFM

Publikuar më 23 Декември, 2024 Lajme


Ish-reprezentuesi i Maqedonisë, Gjorgi Hristov, me vendim të kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Masar Omeragiç, është emëruar drejtor i ri teknik në FFM.

Një nga futbollistët legjendar të vendit dhe ish-sulmues i Pelisterit të Manastirit, Partizanit (Serbi), Barnsley (Angli), Dunfermline (Skoci), Den Bosch (Holandë) do të jetë përgjegjës për punën dhe zhvillimin e ekipeve përfaqësuese të të rinjve dhe akademinë e futbollit në kuadër të federatës.

Gjorgi Hristov ka licencë PRO për trajner dhe ka vite që është i përfshirë në punën e futbollit të klubeve në Maqedoni.

Gjorgi Hristov – drejtor teknik në FFM:

– “Funksioni i drejtorit teknik në FFM është nder për mua, por njëkohësisht edhe obligim i madh.

E ardhmja e futbollit vendor është tek të rinjtë dhe këtë duhet ta kuptojmë në kuptimin e vërtetë të fjalës.

E dimë se si janë trajtuar përzgjedhjet e të rinjve në periudhën e kaluar, e sidomos akademia. Synimi ynë është ta ndryshojmë këtë, të fokusohemi te të rinjtë.

Në programin e presidentit të ri të FFM-së, përzgjedhjet e të rinjve janë një nga prioritetet kryesore. Së bashku do të përpiqemi ta realizojmë.

Në një bisedë me Omeragiç dhe Pandev, konstatuam se ka një “vrimë” të madhe nga ai brez i famshëm që u kualifikua në Kampionatin Evropian të të rinjve dhe ne duhet të përpiqemi ta ndryshojmë atë.

Edukimi i stafit stërvitor dhe logjistika rreth përzgjedhjeve të të rinjve do të pësojnë ndryshime të mëdha dhe kjo do të na sjellë rezultate në të ardhmen. Unë jam i sigurt për këtë”.



   
   
Reprezentacioni A