Futsall: Maqedonia mund Greqinë në start të turneut parakualifikues

Publikuar më 31 Јануари, 2019 Lajme, Fustsall


Përfaqësuesja e Maqedonisë në futsall me fitore 5:3 kundër Greqisë ka nisur turneun parakualifikues për raundin e ardhshëm të kualifikimeve për Kampionatin Botërorë. Maqedonia zhvilloi një pjesë të parë të shkëlqyeshme duke krijuar epërsi 3:0, mirëpo pak mungoi që gjithçka të shkojë huq kur kundërshtari në vazhdim arriti të barazojë në 3:3. Në momentet kyçe të ndeshjes, Mario Krstevski ishte në nivel dhe me dy gola solli fitore 5:3.

Maqedonia avansoi 1:0 në minutën e tretë pas aksionit të Andovit dhe Leovskit. Dyfishim solli Ziberi pas asistit të Krstovskit, ndërsa pak më vonë Leveski shënoi për epërsi bindëse 3:0.

Në pjesën e dytë, Maqedonia ruante mirë epërsinë, por vetëm deri në minutën e 30-të kur mbrojtja sikur humbi koncentrimin dhe Greqia me tre gola të shpejtë në harkun kohor prej vetëm pesë minutave arriti të barazojë në 3:3. Stavrokopulos dhe Tarlas dy herë ishin autor të golave për grekët.

Megjithatë befasia nuk do të ndodhte, pasi Krstevski shfaqet në skenë në minutat e fundit dhe me dy gola sjell fitore 5:3.  

Në ndeshjen tjetër të grupit, Shqipëria ishte bindëse përballë San Marinos, duke fituar me rezultat 5:0.

Në raundin e dytë që në program është të premten, Maqedonia luan me San Marinon, ndërsa Greqia përballet me Shqipërinë. 




   
   
Reprezentacioni A