Publikuar më 17 Мај, 2023 në Lajme
Sot në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski” në ndeshjen e parë finale (pionier) nga katër në kategoritë e të rinjve në Kupën e Maqedonisë, futbollistët e Shkendijës fituan trofeun duke e mposhtur skuadrën e Bregallnicës me rezultat 3:2.
Ishte një ndeshje me lojë të hapur dhe të barabartë nga të dyja palët, me gjithsej 5 gola të shënuar.
Shkendija arriti të kalojë herët në epërsi me 1:0. Shënues i golit të epërsisë ishte Albion Musliu në minutën e 4-të. Blutë e Shtipit arritën të konsolidojnë radhët e tyre pas golit të pranuar herët dhe vetëm 7 minuta më vonë arritën të barazojnë në 1:1 me anë të Aleksandar Nektenit. Me anë të Hisar Aliut, Shkendia arriti të kalojë sërish në epërsi në minutën e 33-të, ndërsa Edis Bajrami me gol në minutën e 43-të arriti të rrisë avantazhin në 3:1 dhe me atë rezultat të mbyllin pjesën e parë.
Në vazhdim të ndeshjes, Bregallnica tentoi të rikthehej në lojë, krijoi raste, por në fund arriti të shënojë vetëm një gol, mjaftueshëm për të zvogëluar avantazhin e kundërshtarit. Stefan Antoniev shënoi golin e dytë të Bregallnicës dhe fiksoi shifrat finale 3:2.