Fillojnë punimet për tribunën e re në stadiumin Biljanini Izvori në Ohër

Publikuar më 09 Декември, 2024 Lajme


Federata e Futbollit të Maqedonisë ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës sportive, duke nisur ndërtimin e tribunës së re jugore në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër. Tribuna e re do të ketë kapacitet prej 3,500 ulësesh dhe do të përfshijë hapësira moderne si 8 sky box për VIP zona, ambiente për media dhe facilitetet e tjera të standardeve ndërkombëtare.

Në ceremoninë e hapjes së punimeve morën pjesë presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini, kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, anëtarët e Këshillit Drejtues të FFM-së, Toni Ivanoski e Xhevad Dibrani, si dhe Kryetari i Lidhjes Futbollistike Komunale të Ohrit, Cane Milloshoski.

Në fjalën e tij përpara të pranishmëve dhe mediave, presidenti Sejdini theksoi rëndësinë e këtij projekti:

“Jemi krenarë që po investojmë në një projekt që jo vetëm rrit cilësinë e infrastrukturës së futbollit, por i jep Ohrit një impiant modern të standardeve ndërkombëtare. Tribuna e re, së bashku me atë ekzistuese, përmbush angazhimin tonë për stadiumin e Ohrit. Pas përfundimit të kësaj tribune, Komuna e Ohrit do të ndërtojë dy tribuna prapa portave dhe do të instalojë ndriçimin, duke e transformuar këtë stadium në një impiant të gatshëm për të pritur ndeshje ndërkombëtare, përfshirë ato të përfaqësueses sonë. Me kapacitetet turistike dhe afërsinë me aeroportin, Ohri ka potencial të bëhet një destinacion i rëndësishëm futbollistik, krahas atij turistik. Falënderoj UEFA-n për mbështetjen dhe Komunën për bashkëpunimin në këtë projekt të madh.”

Ndërtimi i tribunës së re përfaqëson një hap të madh drejt realizimit të vizionit për një infrastrukturë moderne sportive në Ohër, duke krijuar kushte më të mira për lojtarët, tifozët dhe organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare.




   
   
Reprezentacioni A