Publikuar më 29 Октомври, 2024 në Lajme, Seminare
Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ishte nikoqire dhe organizatore e seminarit të parë rajonal për mjekësinë e futbollit, “Trendet e reja të lëndimeve sportive dhe parandalimi i tyre” i mbajtur në Shkup në periudhën nga data 25, deri më 27 tetor.
Seminari treditor ofroi një mundësi unike për personelin mjekësor të shoqatave kombëtare të futbollit nga rajoni (Maqedoni, Kroaci, Slloveni, Shqipëri, Bullgari, Kosovë, Turqi) dhe mjekët dhe fizioterapeutët e klubeve që punojnë nëpër klubet maqedonase, për të shkëmbyer përvojat, praktikat më të mira si dhe sfidat lidhur me dëmtimet më të shpeshta mjekësore në futboll dhe metodat moderne për parandalimin dhe trajtimin e tyre.
Seminari i mbështetur nga UEFA përmes përfaqësuesve të Komisionit për Mjekësi, Luka Aleksiç dhe Dr. Tomislav Vlahoviç ofroi një platformë për shkëmbimin e njohurive, kërkime inovative dhe aftësi praktike, vendimtare për avancimin e mjekësisë sportive dhe përmirësimin e performancës atletike dhe shëndetit të futbollistëve.
Kryetari i Komisionit për Mjekësi në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, Dr. Nevzat Jonuzi në fjalimin e tij hapës, theksoi rëndësinë e tubimit, sigurimin e shërbimeve mjekësore të nivelit të lartë si prioritet kryesor, duke theksuar aspektet kryesore të tubimit:
“Seminari do ta arrijë qëllimin e tij nëse ofron një forum efektiv për të gjithë ju për të avancuar njohuritë, kërkimin dhe teknologjinë në trajtimin e lëndimeve sportive. Së bashku, duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës, të përqafojmë mundësitë e së tashmes dhe të formojmë të ardhmen që të gjithë duam”.
“Futbolli tani është më shumë se një lojë. Sigurimi i shërbimeve mjekësore të nivelit të lartë është një prioritet kryesor, ndërsa performancat dhe rikuperimi i lojtarëve varen nga një nivel i lartë i mbështetjes shkencore të ofruar nga profesionistë me përvojë. Kujdesi mjekësor është bërë aq kompleks sa që një person nuk mund të luajë i vetëm. Mjekësia tashmë është një punë ekipore."
“Nëse nuk shënoni gola, analizoni pse dhe mendoni se çfarë duhet të bëni në stërvitje. Është e njëjta gjë edhe me lëndimet. Nëse keni shumë lëndime, duhet të shikoni pse po ndodh kjo. Ne duhet të dëgjojmë zërat e punonjësve të shëndetësisë dhe mjekëve”.
“Në emrin tim dhe në emër të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, ju falënderoj për praninë tuaj në Shkup dhe për mesazhet që dërguat dhe për ndarjen e njohurive tuaja të vlefshme në lidhje me praktikat më të mira për diagnostikimin dhe trajtimin e lëndimeve muskulo-skeletore, të cilat shpesh janë të përfaqësuara në futboll”.
Dr. Nebojsha Nastov, kryemjeku i përfaqësueses A të Maqedonisë dhe kolegu i tij nga përfaqësuesja jonë deri 21 vjeç, Dr. Mihajlo Ivanoski, mbajtën ligjeratat e tyre dhe morën pjesë në panel diskutimet në seminar së bashku me mjekët tjerë, specialistë të mjekësisë sportive dhe profesionistë mjekësorë të përkushtuar në përmirësimin e kujdesit shëndetësor në futboll.
Seancat i drejtuan ekspertët më eminent të kësaj fushe, Dr. Matiazh Vogrin, specialist i kirurgjisë ortopedike nga Sllovenia, Dr. Biser Boçev, specialist ortoped dhe traumatolog nga Bullgaria, Dr. Toker Berkin, specialist ortoped dhe traumatolog nga Turqia, që mbuluan tema, siç janë menaxhimi i aspekteve kritike të shëndetit të lojtarëve, dëmtimet e muskujve, shëndeti kardiovaskular, rehabilitimi i lëndimeve dhe risitë më të fundit në teknologjinë e mjekësisë sportive. Një nga seancat iu kushtua shëndetit mendor, ku doktor Gheorge Kalpak mbajti një ligjeratë të tij. Mysafir special në këtë seminar ishin edhe Rezart Halili nga Kosova dhe Dr. Ilvi Begoli nga Shqipëria.
Me rëndësi të veçantë ishin demonstrimet praktike dhe ushtrimet për diagnostikimin dhe parandalimin e lëndimeve, me ç’rast pjesëmarrësit mund të përfshiheshin në mënyrë aktive dhe të shkëmbenin përvoja me kolegët nga rajoni. Njohuritë e marra mund të kontrolloheshin përmes punës në grupe me nga katër raste të përzgjedhura, në të cilat diagnozën dhe trajtimin e jepnin pjesëmarrësit, ndërsa mbikëqyrës ishin ligjëruesit e seminarit.
Të gjithë pjesëmarrësit morën certifikata për pjesëmarrje në seminar, ndërsa mirënjohje të veçanta u ndanë për të gjithë ata që pa përtuar fare u përfshinë dhe ndihmuan në mirëmbajtjen e tij, që është e një rëndësie të madhe, dhe pas sugjerimit të dhënë, si nga nikoqirët, ashtu edhe nga mysafirët nga jashtë, pritet që i njëjti të futet në orarin e rregullt vjetor të FFM-së, për edukimet mjekësore.