Publikuar më 16 Април, 2024 në Lajme
Federata e Futbollit të Maqedonisë, së bashku me dhjetë asosiacione tjera kombëtare anëtare të UEFA-s nga Evropa Juglindore, në një takim të sotëm në Tiranë konfirmuan mbështetjen e tyre të pakushtëzuar për presidentin e UEFA-s, Aleksandar Ceferin.
Në takimin rajonal të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, fokusi kryesor ishte në aspektet kritike të strategjisë së zhvillimit të futbollit të UEFA-s, si: formati i ardhshëm i garave të klubeve të UEFA-s pas vitit 2024 dhe programi i ri i solidaritetit.
U diskutuan gjithashtu çështjet e arbitrave dhe shkëmbimi i të dhënave dhe analiza financiare, të ndjekura nga sfidat rreth sistemeve të basteve dhe mundësive në zhvillim për shtetet pjesëmarrëse.
Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Qiproja, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Shqipëria me përfaqësuesit e tyre ishin pjesë e takimit rajonal në Tiranë.
Pas diskutimeve për temat e përmendura, Federatat kombëtare hynë në diskutime për të ardhmen e futbollit evropian. Të gjithë të pranishmit shprehën njëzëri mbështetjen e palëkundur për presidentin Ceferin dhe administratën e UEFA-s.
Federata e Futbollit të Maqedonisë në takimin në Tiranë u përfaqësua nga presidenti Muamed Sejdini, sekretarja e përgjithshme Natalija Ilievska Bozhinovska dhe anëtari i Këshillit Drejtues, Vladimir Gashevski.