Publikuar më 17 Јуни, 2017 në Lajme, Deri më 21 vjet
Përfaqësuesja U 21 e Maqedonisë humbi 5:0 nga Spanja në ndeshjen e parë në Kampionatin Evropian në Poloni. Maqedonia zhvilloi lojë shumë të mirë, thuajse në çdo kategori të statistikave ishte e barabartë me spanjolët, posaçërisht në pjesën e parë, mirëpo mungoi fati sportiv për tu gëzuar, të paktën për një gol të shënuar. Në anën tjetër kundërshari realizoi thuajse nga çdo goditje në drejtim të portës së Aleksovskit. Maqedonia pas një ore lojë kishte më shumë goditje në portën e Spanjës, më shumë rivënie nga këndi dhe dyfish më shumë sulme. Mirëpo në fund, Spanja fitoi me meritë me rezultat të lartë.
Kansojen e parë drejt portës e solli Maqedonia, kur në minutën e tretë Darko Velkovski bukur qetësoi topin me gjoks, mirëpo goditi mbi portën kundërshtare. Në minutën e 7-të edhe shoku i tij i skuadrës te Vardari, Boban Nikollov tentoi portën, por mbi kuadrant. Dy minuta më vonë epërsi për Maqedoninë kërkoi David Babunksi, por pa mundur të gjejë portën e Spanjës, e cila në anën tjetër arriti të avansojë në aksionin e parë më serioz.
Ishte minuta e 11-të kur Saul Nigez realizoi bukur me gërshërë për epërsi 1:0 të Spanjës.Në minutën e 13-të aksion i bukur për Viktor Angelovin që merr asist nga Babunksi, mirëpo goditja e tij u ndal nga portieri Arizabagala.
Në minutën e 16-të tjetër super gol për spanjolët. Ylli i Real Madridit, Asensio me goditje fenomenale nga mbi 20-të metra gjen këndin e pambrojtur të Aleksovskit, për epërsi 2:0.
Maqedonia kishte rast të ri me anë të Marjan Radeskit, por sërish mungoi realizimi. Në anën tjetër ndëshkimi vjen kur arbitri jep penalti pas lojës me dorë nga Bejtullai. Zherard Delofeu godet saktë nga pika e bardhë për rezultat 3:0.
Kanosjen e fundit në pjesën e parë e kishim në minutën e 44 kur godet bukur dhe fortë Enis Bardhi, mirëpo gëzimin e ndal portieri spanjol Arizabalaga me pritje fenomenale.
Në vazhdim, Spanja gjeti golin e katërt kur Marko Asensio në minutën e 54 shënon golin e dytë personal për 4:0.
Fati mungoi për të gjetur golin e parë në një Kampionat Evropian edhe në minutën e 56-të kur pas harkimit të Bejtullait, Babunski godet bukur me të parën, mirëpo traversa ishte aleate e Spanjës.
Rezultatin final 5:0 e fiksoi Marko Asensio në minutën e 73-të kur shënoi golin e tij të tretë personal.
Kampionati Evropian për U 21, Poloni 2017, Grupi B
Stadiumi “Miejski” në Gdynja
SPANJË-MAQEDONI 5:0 (3:0)
(1:0 Saul Nigez 11`, 2:0 Marko Asensio 16`, 3:0 Zherard Delofeu pen. 35`, 4:0 Marko Asenskio 54’, 5:0 Marko Asensio 73’)
Spanja: Arrizabalaga, Balerin, Mere, Baleho, Gaja, Lorentz, Saul, Denis Suarez, Asensio, Sandro (Viliams), Delofeu (Dani Sebalos 63’)
MAQEDONIA: Igor Aleksovski, Egzon Bejtullai, Darko Velkovski, Gjoko Zajkov, Besir Demiri, Boban Nikollov, Enis Bardhi, David Babunski (Tihomir Kostadinov 75’), Kire Markoski (Nikolla Gjorgjiev 46’), Marjan Radeski, Viktor Angelov (Elif Elmas 46’)