Drejtuesit e FFM-së mbajtën mbledhje konsultative me përfaqësuesit e klubeve të Ligës së Parë

Publikuar më 18 Мај, 2020 Lajme


Drejtuesit e Federatës së futbollit të Maqedonisë në njërin prej tereneve të qendrës stërvitore “Petar Millshoveski” mbajtën mbledhje me drejtuesit e 10-të klubeve që garojnë në Ligën e Parë të futbollit vendor.

Përfaqësuesit e Vardarit, Sileksit, Shkëndijës, Renovës, Makedonija Gj.P., Shkupi, Akademia Pandevit, Rabotniçkit, Borecit dhe Struga Trim&Lum ishin të pranishëm në mbledhjen me presidentin e FFM-së, Muamed Sejdini, nën-kryetarin e federatës, Lazar Rakixhiev, sekretarin e përgjithshëm, Filip Popovski, zëvendës-sekretarin, Drilon Ganiu dhe presidentin e komisionit për garim pranë FFM-së, Igor Frangovski.

Mbledhja kishte karakter konsultativ në aspekt të mënyrës dhe propozimeve për mbylljen e sezonit të ndërprerë 2019/2020 në LPFM.

Vendimi përfundimtar për sezonin garues, do të merret në një mbledhje të rradhës nga FFM bashkë me klubet në një afat sa më të afërt kohor, pasi që do të merren rekomandimet dhe masat e protokolit për mbajtjen e seancave stërvitore dhe zhvillim të ndeshjeve nga ana e trupit koordinativ për kriza për të siguruar koordinim të plotë në lidhje me parandalimin e futjes apo përhapjes së virusit COVID-19.

Në takimin e sotëm përfaqësuesit e klubeve u pajtuan se për shkak të periudhës kohore të kufizuar nuk do të ketë hapsirë për zhvillimin e gjitha ndeshjeve të mbetura të sezonit aktual (13 ndeshje kampionale dhe tre xhiro të Kupës që përfshijnë dy gjysmëfinale vajtje ardhje dhe finalja e madhe). Pasi të kompletohet protokoli për mbrojtje nga virusi COVID-19, federata dhe klubet do të dalin me qëndrim të përbashkët rreth vazhdimit eventual të kampionatit në format të shkurtuar apo ndërperje të plotë të sezonit garues 2019/2020.

Federata e futbollit të Maqedonisë tashmë është në proces të përgatitjes së protokollit për zhvillimin e seancave stërvitore dhe zhvillimin e ndeshjeve me kushtet e pranisë së masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe i njejti do të prezantohet para institucioneve kompetente shëndetësore.



   
   
Reprezentacioni A