Publikuar më 09 Ноември, 2022 në Lajme, Lajme
Seleksionuesi i përfaqësueses A të Maqedonisë, Bllagoja Milevski, në një konferencë për shtyp ka dhënë shpjegime lidhur me futbollistët e thirrur për ndeshjet e ekipit tonë më të mirë kundër Finlandës (17 nëntor, ora 18:00) dhe Azerbajxhanit (20 nëntor, ora 14:00) në arenën “Todor Proeski” në Shkup.
Bllagoja Milevski – seleksionues i përfaqësueses A të Maqedonisë:
“Fatkeqësisht nuk jemi sërish të kompletuar dhe jemi detyruar prej 14 muajsh për arsye të ndryshme që të mos mbledhim më të mirët në një moment. Ademi nuk është në mesin tonë, në ndeshjen e fundit për Dinamon pësoi një dëmtim. Çurlinov, Kostadinov dhe Iliev dalëngadalë po kthehen nga lëndimet, por nuk i kemi për këto ndeshje. Vellkovski është në listë dhe do të jetë me ne, por për 14 ditë ai bën vetëm stërvitje individuale. Forma e futbollistëve është shumë më e mirë në krahasim me shtatorin, në radhë të parë ata që janë bartës, këtu e kam fjalën për Bardhin, Elifin, Alioskin... përveç kësaj, ata që nuk ishin në takimin e shtatorit po futen ngadalë në formë konkurruese si David Babunski dhe Boban Nikollov. Kire Ristevski pati një periudhë ambientimi dhe tani është në nivel të kënaqshëm. Shpresoj që pas fundjavës, pas ndeshjeve me klubet, të gjithë futbollistët të jenë mirë dhe të shëndosh pa lëndime”.
“Në këto ndeshje pres një përmirësim në krahasim me ndeshjet në Ligën e Kombeve. Megjithatë, këta janë të njëjtët djem që shënuan tre apo edhe pesë gola për lojë. Ndoshta forma e dobët dhe problemet e mosgjetjes së skuadrave ishin vendimtare dhe shpresoj se kjo është tashmë pas nesh. Finlanda është një kombëtare e madhe, një ekip serioz me të cilin do të jetë e vështirë. Gjithashtu, Azerbajxhani është në rritje. Këto ndeshje do të na shërbejnë për drejtimin tonë dhe drejtimin për të ardhmen”.