Shkëndija me dy trofe në Kupën e Maqedonisë, triufmojnë U18 dhe U19

Publikuar më 15 Мај, 2018 Kupa e Maqedonisë, Lajme


Finalet e Kupës së Maqedonisë në kategoritë U19 dhe U18 kanë kaluar në shenjë të Shkëndijës së Tetovës e cila rëmbeu të dy trofetë pasi në finale mundën Pelisterin (U18 5:3), gjegjësisht Rabotniçkin (U19 5:4 me penalti)

Kadetët e Shkëndijës janë fitues të Kupës së Maqedonisë. Ata në finalen e zhvilluar në Ohër ishin më të mirë se Pelisteri dhe në fund me plotë meritë fituan me rezultat 5:3 (3:2). Ndeshja në stadiumin “Burimet e Bilianës” në Ohër filloi furishëm për kuqezinjtë tetovarë që shënuan tre gola. Megjithatë në pauzë u shkua me rezultat 3:2 pasi Pelisteri realizoi dy herë në çastet e fundit të pjesës së parë. Në pjesën e dytë u shënuan edhe tre gola. Dy në rrjetën e Shitrakovskit dhe një në atë të Abazit. Golat e vlefshëm trofe për ekipin e Shkëndijës i shënuan: Ramiq, Karimani, Spahiu dhe Ramadani (dy). Ndërkohë për Pelisterin dy herë realizoi Selmani dhe një herë Boshovski.

SHKËNDIJA-PELISTERI 5:3 (3:2)
Stadiumi “Burimet e Bilianës” në Ohër
Arbitra: Stojanovski, Lika dhe Osmani (gjithë nga Kërçova)
Golashënues: Ramiq, Ramadani 2, Karimani, Spahiu (Sh), ndërsa Selmani 2 dhe Boshkovski (P)
SHKËNDIJA: Abazi, Mustafa, Rexhepi, Ramiq, Karimani, Ramadani, Memishi, Shahini, Bakija, Gashi, Spahiu.
PELISTERI: Shitrakoski, Rizankovski, Momirovski, Bozhinovski, Mijakovski, Selmani, Boshkovski, Stojanovski, Jovanovski, Risteski, Veljanovski.

Trofeu i Kupës shkon edhe për Shkëndijën U19 që triumfon përballë Rabotniçkit. Finalja e juniorëve u mbyll me barazim 0:0 dhe fituesi duhej të vendosej me anë të penaltive. Aty më të saktë u treguan tetovarët që fituan me shifrat 5:4. Të pesë ekzekutuesit e Shkëndijës ishin të pagabueshëm (shënuan Fazllagiç, Zejnullai, Luma, Ramadani dhe Aliti), ndërsa në serinë e dytë me pritje vendimtare u shfaq portieri Artan Iljazi që bashkë me realizuesit e penaltive sollën fitoren dhe trofeun e Kupës për ekipin U19 të Shkëndijës. 

Finalet e Kupës së Maqedonisë vazhdojnë të mërkurën në Ohër me kategoritë e pionerëve dhe pionerëve të rinjë. Finalja e parë ndërmjet Shkëndijës dhe Rabotniçkit luhet në orën 10:00. Në orën 17:00 në stadiumin “Burimet e Bilianës” luhet finalja ndërmjet fatosëve të rinjë të Vardarit dhe Shkëndijës.

Finalja në kategori të seniorëve ndërmjet Pelisterit dhe Shkëndijës luhet më 23 maj në stadiumin “Mlladost” në Strumicë me fillim në orën 20:00. Ndërkohë finalja e Kupës në konkurencë të femrave është caktuar më 30 maj në Peçevë, kur nga ora 17:00 pëballen Dragon 2014 dhe Tiveria.

Urime për aktorët e dy ekipeve që luajtën një finale për tu mbajtur mend të konkurencë të kadetëve. Ne hapëm më mirë ndeshjen dhe me meritë krijuam epërsi prej 3 golave. Pelisteri edhe përkundër negativës nuk u dorëzua dhe me dy gola arriti të kthehet në lojë. Në pjesën e dytë sërish kishte gola dhe emocione, por ne në fund treguam më shumë karakter dhe fituam trofeun”, deklaroi trajneri i Shkëndijës U18, Berat Imeri. 



   
   
Reprezentacioni A